Në Kosovë, javëve të fundit, ka pasur numër të lartë të infektimeve me Covid-19 dhe rrjedhimisht ndryshim të masave anti-covid nga qeveria e vendit. Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë, procesi i vaksinimit po vazhdon në gjithë Kosovës, ku përgjatë 24 orëve të fundit janë dhënë 6.492 doza të vaksinës kundër COVID-19. Po ashtu, njoftohet se janë bërë 11.144 testime, ku 2.707 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19.
Në një deklaratë për media, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, apeloi tek qytetarët që të vaksinohen dhe të marrin edhe dozën e tretë përforcuese: “Kosova disponon vaksina të mjaftueshme, të miratuara për përdorim nga trupat më relevant botërorë. Vaksinimi mund të bëhet kurdo, pa termin, pavarësisht vendbanimit e shtetësisë. Qytetarët të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19 dhe kanë mbushur tre muaj që nga marrja e dozës së dytë, mund ta marrin dozën përforcuese të vaksinës kundër COVID-19”, thuhet në deklaratë.
Për të mbrojtur familjen dhe veten, respektoni masat anti-covid, duke mbajtur distancë, maskë dhe higjienën.