Muaji shtator ka rikthyer në shkolla fëmijët e moshave të ndryshme, për ta ndjekur procesin mësimor nëpër klasa, pas disa muajve qëndrim në shtëpi për shkak të pandemisë ‘CoViD-19’.
Mësimi në këtë kohë pandemie po zhvillohet me përgjysmimin e nxënësve nëpër paralele, gjë e cila ka lehtësuar procesin mësimor në aspektin e mësimdhënies në klasë, thotë për Radio KFOR-in, mësuesja e klasës IV/3, në SHFMU “Daut Bogujevci” në Fushë Kosovë, Dijana Mehmeti, e cila shtoi: “Fillimi i mësimit në banka shkollore ishte i mirëpritur, i nevojshëm dhe më se i domosdoshëm. Procesi i mësimit po zhvillohet duke respektuar në tërësi udhëzuesit, protokollet e hartuara nga MASHT-i në kushte pandemie si dhe rekomandimet e IKSHPK-së. Në këtë kohë të vështirë ne si mësimdhënës po mundohemi të japim kontributin tonë maksimal në procesin edukativo-arsimor, me qëllim të arritjeve të rezultateve sa më të larta.”
Edhe mësimdhënësja në shkollën “Hamit Sejdiu” në Komunën e Podujevës, Egzona Idrizi, thotë se mësimi me këtë orar të shkurtër është më produktiv se mësimi online: “Klasa ime ka gjithsej 19 nxënës dhe punoj vetëm me një grup. Klasa ka hapësirë shumë të madhe dhe arrihet të mbahet distanca e kërkuar. Nxënësit mbajnë maskën gjatë tërë kohës dhe dezinfektimi i duarve bëhet vazhdimisht.”