Qysh nga fillimi i pandemisë së shkaktuar nga CoViD-19, Radio KFOR-i në vazhdimësi i ka kushtuar kampanja të ndryshme promovuese punës, angazhimit, lodhjes dhe rrezikut që sfidon stafin mjekësor, të cilët me të drejtë nga mbarë globi u shpallën si heronjtë e pandemisë. Mirëpo, krahas stafit mjekësor, profesioni i mësimdhënësit po ashtu konsiderohet profesion me risk përgjatë kësaj situate pandemie, e që ka kërkuar shumë mund e angazhim. Andaj, muajin maj ua kemi dedikuar pikërisht mësimdhënësve, të cilët po ashtu janë heronj të pandemisë.
Për të kuptuar më shumë për sfidat, punën por edhe suksesin që kanë mësimdhënësit për të gjetur format dhe mënyrat e mbajtjes së mësimit përgjatë kësaj kohe, Radio KFOR-i ka intervistuar mësimdhënësen e fëmijëve me nevoja të veçanta, në Shkollën e Mesme të Ulët në Podujevë “Kongresi i Manastirit”, znj. Remzie Hoxha-Gërguri: “Qysh nga fillimi i pandemisë, jemi ballafaquar me sfida të ndryshme. Përmendim këtu mësimin online që ka qenë mjaft sfidues për të gjithë mësimdhënësit e në veçanti për mësimdhënësit e fëmijëve me nevoja të veçanta, marr parasysh që këta fëmijë kanë vështirësi në përdorimin e teknologjisë, pasi shumica nga ta paraqesin vështirësi në teknologji. Kemi pasur një sërë sfidash gjatë kësaj periudhe, mirëpo në bashkëpunim me prindërit kemi arritur që të gjejmë një formë të punës që fëmijët të mos ngecin në mësime. Kjo ka tregu sukses dhe me fillimin e mësimit nga muaji shtator kur kemi bërë vlerësimin, kemi parë që këta nxënës nuk kanë mbetur shumë prapa.”
Znj. Hoxha-Gërguri, përmes frekuencave të Radio KFOR-it ka përçuar mesazh tek të gjithë mësimdhënësit dhe prindërit që të vazhdojnë të gjejnë forma të shumta të bashkëpunimit sepse situata e krijuar nga pandemia, krahas rolit të mësimdhënësit, ka nxjerrë në pah edhe rolin e madh të prindit në angazhimin e fëmijëve në mësim.