Sot, me 5 prill, në ‘Ditën Ndërkombëtare të Mamive’, bota vlerëson punën dhe përkushtimin e mamive si dhe vlerëson rëndësinë që ka ky personel mjekësor i përbërë nga gra e burra, për nënat para, gjatë shtatzënisë dhe në javët e para pas lindjes.
Mbi rëndësinë e mamive në jetën tonë, për Radio KFOR-in foli Kryetarja e Shoqatës të Mamive të Kosovës, Magbule Elezi: “Mamia nuk është vetëm personel shëndetësor, por kontributi i saj është tejet i rëndësishëm në planifikimin familjar, menaxhimin e shtatzënisë, lindjes dhe këshillimit për kujdesin e të porsalindurve, kështu që mamitë mund të jenë mike – shoqe dhe persona shumë të rëndësishëm në jetën e grave. Rëndësia e mamive në ditën ndërkombëtare të tyre, përçon mesazhin mbi rëndësinë që ka ky komunitet në shëndetin e nënës dhe fëmijës, avokim dhe lobim në institucionet vendore dhe ndërkombëtare për mbështetje dhe përkrahje të tyre.”
Edhe mamia me përvojë shumë vjeçare Razije Musa, ndau të njëjtin mendim për rolin e mamive në jetën tonë dhe për misionin e veçantë që kanë ato: “Mamitë janë profesionistet për të ndihmuar në këshillim, në vizita gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes në gji dhënie dhe forma të tjera. Mamia është grua që mbi të gjitha e përkrah dhe e ndihmon një grua tjetër.”