Në situatën nëpër të cilën po kalon i gjithë planeti ynë, më së shumti kemi nevojë për pozitivitet, për pak motivim nga artistët tanë më të dashur, shumë nga të cilët ishin aktiv gjatë kësaj kohe të pandemisë, secili në formën e tij. Mirëpo, përveç që ishin aktiv, me mijëra artistë në mbarë botën kanë dhuruar edhe donacione të ndryshme për tu përballur me pandeminë ‘Covid-19’. Radio KFOR-i ka përzgjedhur disa artistë, të cilët kanë postuar mesazhe motivuese në rrjetet e tyre sociale:
Ylli i filmit “Wonder Woman”, Gal Gadot shkroi në Twitter: “Qëndrimi në shtëpi është superfuqia ime dhe e juaja! Ju lutem kujdesuni për veten, të dashurit tuaj dhe të gjithë ne. Kjo situatë duhet të trajtohet me seriozitet. Sa më shumë që qëndrojmë në shtëpi dhe e mbajmë veten larg nga ky virus ngjitës, aq më shpejt do të kthehemi në normalitet pa humbur jetë askush.”
Këngëtari Justin Bieber, postoi një fotografi të fuqishme ku shihen mjekë dhe infermierë tek mbajnë parullën “Ne qëndrojmë këtu (në spital) për ju, ju lutemi qëndroni në shtëpi për neve.”
Këngëtari që qëndron pas hitit “Senorita”, Shawn Mendes, u kujdes gjithashtu që ti mbajë të informuar fansat e tij për fondacionin e tij: “E di që kjo kohë është e frikshme por vetëm desha të di si jeni të gjithë. Ju lutem qëndroni të sigurt dhe kujdesuni për njëri tjetrin. Kemi ndarë disa informacione të rëndësishme në fondacionin Shawn Mendes Foundation.”
Këngëtarja Lady Gaga dha mesazh të qartë se kujt duhet ti kushtohet më shumë kujdes gjatë kësaj kohe: Tani është më e nevojshme se kurrë të jemi të mirë dhe në ndihmë të atyre që janë të sëmurë por edhe ndaj atyre që nuk janë të sëmurë e kanë frikë. Jemi të gjithë bashkë në këtë. Të dua botë.”
Edhe këngëtarja Alica Keys, ka qenë shumë aktive gjatë këtyre ditëve, ajo publikoi edhe këngën dedikim për punëtorët esencial, e përveç kësaj pati një mesazh për të gjithë në botë: “Po dërgoj një dritë për të gjithë ju tani. Vetëm një rikujtim që të mbani energjinë tuaj lartë. Po ndodhin shumë gjëra tani por ju kujdesuni për veten, për familjen tuaj dhe kujtojini vetes të merrni frymë thellë dhe të qëndroni të qetë. Mos harroni që ju dua.”