Ky është mesazhi i Ushtruesit së Detyrës të Kryetarit të Komunës së Podujevës, pas shënimit të rastit të parë pozitiv me koronavirus në këtë komunë: “Unë jam Nexhmi Rudari, ushtrues i detyrës së Kryetarit të Komunës së Podujevës, njëkohësisht Shef i Shtabit të Masave Kundër Virusit COVID – 19. Ne qysh kur kemi marrë lajmin se kemi një qytetar nga Komuna jonë të infektuar me këtë virus, jemi tubuar dhe kemi filluar me masa dhe veprime konkrete. Kemi dërguar një ekip mjekësor, një ekip të Policisë dhe kompaninë për dezinfektim të objekteve të familjes së personit në fjalë dhe lagjes, ku ekipi mjekësor ka kontrolluar familjarët e pacientit dhe u kanë dhënë këshilla se si duhet të veprojnë në ditët në vijim. Ne kemi marrë vendimin për futjen e fshatit Dumnicë në karantinë. Ne i kemi kontaktuar qytetarët dhe u kemi bërë me dije që mos të shqetësohen sepse është një virus normal thuajse, pak më agresiv sesa viruset tjera, por u kemi treguar se jemi këtu, për furnizim me ushqime, por edhe me gjëra të tjera të domosdoshme. Mesazhi im për të gjithë qytetarët llapjanë, por jo vetëm, do të ishte që duhet të shtojmë kujdesin ndaj higjienës personale dhe familjare, nuk është e thënë që duhet patjetër të përshëndetemi me dorë dhe të përqafohemi, ta ruajmë distancën, mos të marrim pjesë në tubime ku ka shumë njerëz, së bashku do ta kalojmë këtë.”