Me ardhjen e shtatorit, gjithçka bëhet më dinamike. Kthimi i nxënësve në shkolla, do e shtojë gumëzhin që ka heshtur përgjatë pushimeve verore. Përgjegjësia, emocionet e shoqërimet, bëhen tok me zhurmat e bankave shkollore, e për të gjitha këto, nxënësit pas pushimeve verore, po ndjejnë mall për shkollën, aty ku mezi po presin që të rikthehen. Emocionet janë edhe më të forta, për nxënësit e klasës së 9-të, të cilët vetëm edhe në këtë vit shkollor, do të jenë pjesë e shkollës fillore. Njëra nga këta nxënës, është edhe nxënësja Anesa Gashi, e cila vijon mësimet në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Xhavit Ahmeti”, e cila për Radio KFOR-in tha: “Fillimin e vitit të ri shkollor, e pres me padurim e po ashtu e pres me emocione trishtimi, pasi do të ndahem nga klasa ime. Mua më ka marr malli shumë edhe për shokët dhe shoqet, pasi kam kaluar një kohë të gjatë pa ata. Më ka marr malli shumë edhe për mësimdhënësit. Këtë vit shkollor unë pres që të jap maksimumin tim që në fund vit të dal nxënëse e shkëlqyer.”
Edhe Onida Gashi, e cila po ashtu është nxënëse e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Xhavit Ahmeti”, thotë se ka emocione të përziera dhe mezi pret që të fillojë procesi mësimor: “Vitin e ri shkollor po e pres me emocione të përziera. Këtë vit do të jem nxënëse e klasës së 9-të, prandaj në fund të këtij viti shkollor unë do të ndahem nga shkolla fillore. Mua më ka marr malli shumë për shkollën, për shokët e mësimdhënësit. Nga ky vit shkollor unë pers që të jap maksimumin në testin e arritshmërisë dhe pres të dallohem si nxënëse e shkëlqyer.”
Nga Radio KFOR-i, të gjithë nxënësve dhe mësimdhënësve, ju urojmë mbarësi dhe shumë suksese në rrugëtimin e këtij viti të ri shkollor.