Programi i mentorimit për studentët kosovarë në Universitetin e Prishtinës, të cilët janë në vitin e tyre të parafundit ose të fundit të studimeve ”Mentoring our Future”, tashmë zyrtarisht kanë ndarë me studentët respektiv faqen e tyre të programit si dhe kanë bërë hapjen e aplikimeve për studentët e Universitetit të Prishtinës.
Për më shumë hollësi rreth përmbajtjes së programit përkatës dhe qëllimit të realizimit të tij, Radio KFOR-i ka marë një prononcim nga bashkëthemeluesja e “Mentoring the Future”, Vjosa Morina, e cila mes tjerash pohoi:
“Ky program synon të lehtësoj transferimin e njohurive dhe përvojës profesionale ndërmjet profileve profesionale që gjinden në Kosove, rajon dhe diasporë me studentët kosovarë, të cilët janë të interesuar për zhvillimin e karrierës së tyre në një fushë përkatëse. Përveç kësaj, studentët do kenë mundësinë që pas këtij programi, të kyçen në kompanitë dhe organizatat e ndryshme të mentorëve apo rrjetit të tyre, varësisht nga interesi i tyre”.
Përsa i përket qëllimit të këtij porgrami përfitues për të gjithë studentët e nivelit Bachelor dhe Master, Vjosa theksoi:
“Qëllimi i këtij programi është t’i mundësoj secilit student të marrë vëmendje dhe udhëzime në lidhje me qëllimet e tyre të zhvillimit profesional, aspiratat e karrierës dhe nevojat e rrjetëzimit. Ky program do jetë pikë-takim i profesionistëve dhe hapësirë e shkëmbimit të përvojave të tyre profesionale, andaj ky rrjetëzim do jetë një adresë ku komuniteti do të mund të komunikoj dhe të përfitojë në fusha të ndryshme”.
Siç na informoi Vjosa, mundësi aplikimi kanë të gjithë studentët e Kosovës, ndërsa afati i fundit i aplikimeve, është data 31 gusht, 2018.
Për më shumë informata rreth mënyrës së funskionimit të programit të MOF, mund klikoni në vegzën e mëposhtme.