Çdo vit me datën 18 prill, bota shënon ‘Ditën Botërore të Monumenteve dhe Vendbanimeve historike’, themelimi i së cilës u miratua nga Konferenca e Përgjithshme e 22-të e UNESCO-s, në vitin 1983. Tema me të cilën shënohet këtë vit kjo ditë, është ‘Trashëgimia e Përkujtimit’, qëllimi i së cilës është inkurajimi i komuniteteve lokale dhe individëve në mbarë botën, që të marrin në konsideratë rëndësinë e trashëgimisë kulturore për jetën, identitetin dhe komunitetet e tyre, të promovojë ndërgjegjësim për diversitet dhe cenimin e tij si dhe përpjekjet e nevojshme për të mbrojtur dhe ruajtur atë.
Monumentet dhe vendet, duke përfshirë format më komplekse dhe më të larmishme të vendeve të trashëgimisë, siç janë peizazhet e gjalla, janë bartës të prekshëm të kujtesës së një pjese të përvojës njerëzore. Kësisoj, nëpërmjet autenticitetit dhe integritetit të tyre, ato kontribuojnë, në mënyrën e tyre, në përkujtimin dhe transmetimin e vlerave që përfshijnë historinë.