Janari i 2022-ës e ka gjetur vendin tonë me rritje të numrit të të infektuarve me CoViD-19. Kjo ka bërë që mjekët të bëjnë thirrje për respektim të rreptë të masave anti-kovid. Specialisti i Pulmologjisë dhe Mjekësisë Familjare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, z. Arbër Ismaili, përmes frekuencave të Radio KFOR-it kërkon nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të tregohen të kujdesshëm në respektim të masave anti-kovid si dhe të vaksinohen: “Po vazhdojmë që të jemi në kohë pandemie dhe kemi rritje të numrit të rasteve të të infektuarve me CoViD-19 si dhe me grip të zakonshëm. Andaj, ju bëjmë lutje të gjithëve që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë masat anti-kovid: Mbani maskën, pastroni në vazhdimësi duart dhe mos qëndroni në vende ku ka shumë njerëz. I ftojmë të gjithë që të vazhdojnë me vaksinim, në mënyrë të rregull edhe me dozën përforcuese apo dozën e tretë kundër kovidit, e cila siguron mbrojtje nga virusi si dhe në rast se infektoheni me CoViD-19, do të keni pasoja shumë më të lehta dhe kemi raste më pak që kanë nevojë të shtrihen në spital për mjekim.”
Respektimi i masave dhe vaksinimi masiv, janë format më të mira për tu mbrojtur nga COVID-19 e për këtë duhet të kontribuojë secili prej nesh.