Me një program të pasur, filma të shumtë vendor dhe ndërkombëtar sot (17.07) nis edicioni 14-të i festivalit të filmit të animuar Anibar. Edhe këtë vit nikoqir i këtij festivali është qyteti i Pejës, që pritet të bëjë bashkë emrat më të njohur të producentëve të filmave të animuar.
Ky edicion organizohet me moton ‘Love, Dashuria’ që ka për qëllim t’i kujtojmë vetes dhe të gjithëve se dashuria nuk njeh kufij dhe si e tillë, ajo nuk mund të përcaktohet! Festivali në fjalë do të zë vend në të gjithë qytetin e Pejës, duke shfrytëzuar hapësirat publike, me katër kinema, dy prej tyre në natyrë dhe dy të mbyllura për programin e tyre filmik me rreth 300 filma si dhe hapësira të ndryshme për klasa master, seminare, panele, ekspozita dhe sesione bisedash, prezantime, programe speciale dhe koncerte muzikore.
Edhe këtë vit, çmimet do të ndahen në disa kategori që përfshijnë çmimin ‘Best International Award’, ‘Best Balkan Award’, ‘Best Human Rights Award’, ‘Best Audience Award’, e shumë çmime të tjera.
Festivali Anibar do të zgjasë deri me datën 23 korrik, të këtij viti.