Prishtina po mirëpret një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend ‘Panairin e Librit’, i cili do të mbahet nga data 7 deri me 12 qershor. Ky vit, shënon edicionin e 22-të me radhë dhe kjo ngjarje do të mbahet në ambientet e Pallatit të Rinisë, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.
Me këtë rast, Kryetari i ‘Shoqatës së Botuesve të Kosovës’, z. Edon Zeneli, në një intervistë për Radio KFOR-in, tregoi më shumë rreth panairit dhe theksoi se këtë vit do të ketë risi të shumta: “Pas dy vitesh, për shkak të pandemisë rikthehet Panairi i Librit në Prishtinë, që shënon një nga ngjarjet kulturore më të rëndësishme në vend dhe një nga ngjarjet më të mëdha të librit. Ky edicion, sjellë rreth 100 botues pjesëmarrës dhe priten rreth 40 mijë vizitorë, gjatë këtyre 6 ditëve. Gjatë këtij panairi do të ketë promovime të shumta të autorëve vendor dhe ndërkombëtar dhe të ftuar nderi, kemi shkrimtarin e njohur nga Franca, Claude Arnaud, fitues i disa çmimeve të rëndësishme në letërsi. Këtë vit do të ketë rreth 3 mijë botime të reja dhe mbi 6 mijë tituj të viteve të fundit. Në panair do të marrin pjesë shtëpi botues nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe diaspora.”
Po ashtu, në kuadër të këtij panairi do të organizohen edhe aktivitete, debate të ndryshme rreth librit dhe letërsisë në përgjithësi me shkrimtarë vendor dhe ndërkombëtar, botues, përkthyes e kritikë të librit.
Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga data 7 deri 12 qershor, nga ora 09:00 deri në ora 20:00.