Muaji Gusht i është rezervuar të rinjve në Kosovë, kjo sepse me datën 12 të këtij muaji, shënohet “Dita Ndërkombëtare e Rinisë.” Muaji i Rinisë në Kosovë, zyrtarisht është lansuar dje (03.08.21), me një ceremoni të organizuar nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Organizata IPKO Foundation, e cila është partner implementues në këto aktivitete që po organizohen për shënimin e këtij muaji dhe përveç Muajit të Rinisë, dje është lansuar edhe Cikli i Dytë i Programit “Kosovo Generation Unlimited”. Kjo u ka hapur rrugën aktiviteteve të shumta kreative dhe frymëzuese që do të organizohen ditëve në vazhdim nga grupet e të rinjve që mbështeten nga IPKO Foundation, kështu tregoi për Radio KFOR-in edhe zyrtarja për komunikim në IPKO Foundation, Artinë Muçiqi: “Gjatë tërë muajit Gusht, IPKO Foundation do të prezantojë projektet e këtyre grupeve dhe fushatat e tyre për përmirësimin e mirëqenies së komunitetit të tyre. Kësisoj, nesër dhe pasnesër (E enjte – 05 gusht 2021, e premte – 06 gusht 2021), IPKO Foundation do të organizojë punëtorinë ‘PODIUM’, në të cilën do të ketë rreth 70 pjesëmarrës, të cilët do të ndjekin module të ndryshme që synojnë përvetësimin e njohurive në aspektin e analizës së nevojave të komunitetit, planifikimit të kampanjave avokuese, taktikat avokuese, konceptimin dhe modelimin e kampanjave, menaxhimin e buxhetit dhe pika të tjera. Pas kësaj punëtorie dy ditore, do të kemi 6 kampanja të ndryshme vetëdijesuese të të rinjve, të cilat mbështeten nga IPKO Foundation, në kuadër të së cilave do të organizohen aktivitete të ndryshme, në të shumtën e rasteve nëpër hapësira publike, siç janë sheshet.”
Kampanjat që do të mbështeten nga IPKO Foundation, do t’i përshtaten sloganit të këtij viti për shënimin e ‘Ditës Ndërkombëtare të Rinisë’, i cili është emërtuar: “Transformimi i Sistemeve të Ushqimit: Inovacioni i të Rinjve për Shëndetin e Njerëzimit dhe Planetit”.
Ky slogan këtë vit, vë theksin te ndryshimet e mëdha globale në mjedis, të cilat nuk mund të ndodhin pa pjesëmarrjen e plotë të të rinjve.