Shëndeti është një gjendje e mirëqenies së plotë fizike, mendore e sociale dhe për një cikël të shëndetshëm jete, profesionistët shëndetësor këshillojnë që një person të ketë një dietë të ekuilibruar, të ushtrojë rregullisht, të flejë mjaftueshëm dhe të ketë zakone të mira higjienike. Për të ndërgjegjësuar njerëzit për rëndësinë që ka shëndeti në jetën tonë, ditën e djeshme, 7 prill, kudo në botë është shënuar “Dita Botërore e Shëndetit”. Në nder të kësaj dite edhe KFOR-i organizoi një aktivitet fizik, ku kanë marr pjesë shumë trupa të saj, të cilët e nisën ditën me ushtrime të ndryshme fizike. Këtij aktivieti nuk i mungoi as komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Ferenc KAJÁRI, i cili në fund të këtij aktiviteti, falenderoi të gjithë për pjesëmarrjen e tyre: “Shpresoj ta keni shijuar këtë aktivitet sot, ushtrimet që bashkë i realizuam, si një ekipë e bashkuar, prandaj ju falenderoj që morrët pjesë, në një ditë të shënuar si kjo, në “Ditën Botërore të Shëndetësisë”. Edhe ne në këtë mënyrë u munduam ta shënojmë këtë ditë, duke treguar që KFOR-i është një ekipë dhe se ne punojmë dhe qëndrojmë bashkë në shi apo diell’’. Njëra ndër organizatoret e kësaj ngjarjeje, e cila shërbeu në këtë aktivitet edhe në cilësinë e trajneres, kapitenja Greona Kennedy, tha: “Sot jemi bërë bashkë për të festuar “Ditën Botërore të Shëndetësisë”, duke promovuar një shëndet sa më të mirë përmes aktiviteteve të ndryshme fizike, prandaj edhe ne e shënuam këtë ditë të rëndësishme për secilin prej nesh, përmes disa ushtrimeve fizike”. Kujtojmë që “Dita Botërore e Shëndetit” është një nga tetë fushatat zyrtare globale të shëndetit të shënuara nga OBSH së bashku me “Ditën Botërore të Tuberkulozit”, “Javën Botërore të Imunizimit”, “Ditën Botërore të Malaries”, “Ditën Botërore pa Duhan”, “Ditën Botërore kundër SIDA-s”, “Ditën Botërore të Donatorëve të Gjakut” dhe “Ditën Botërore të Hepatitit”.