Sot, më 28 maj, bota shënon ‘Ditën Botërore Kundër Urisë’, një thirrje ndërkombëtare për ndërgjegjësim dhe veprim ndaj një prej sfidave më të mëdha që përballet njerëzimi – uria. Mbi 828 milionë njerëz në mbarë botën, çdo natë shkojnë në shtrat të uritur, shumica prej tyre në vendet pa zhvillim, por gjithnjë e më shumë edhe në vende të zhvilluara.
Kjo ditë nuk është thjesht një statistikë, është përballje me realitetin brutal që shumë familje përballen çdo ditë, pra me mungesën e ushqimit bazë për mbijetesë. Situata politike nëpër botë, ndryshimet klimatike, varfëria ekstreme dhe pabarazitë sociale, janë ndër arsyet kryesore që e ushqejnë këtë krizë globale.
Organizatat ndërkombëtare si ‘World Hunger Day’, e themeluar nga The Hunger Project në 2011-ën, kërkojnë nga nivelet qendrore, bizneset dhe qytetarët që të angazhohen konkretisht – jo vetëm me ndihma afatshkurtra, por me zgjidhje të qëndrueshme që nxisin bujqësinë lokale, ekonomitë vendore dhe qasjen në arsim dhe shëndetësi.
Sot është dita për të mos e harruar këtë realitet dhe për të menduar çfarë mund të bëjmë ne, si individë, si shoqëri dhe si institucione, që askush të mos mbetet i uritur.







