Mosrespektimi i rregullave të trafikut, mospërshtatja e shpejtësisë së mjetit me kushtet e rrugës dhe kushtet atmosferike, përdorimi i telefonit gjatë ngasjes, janë vetëm disa nga shkaktarët e aksidenteve. Në periudhën janar-shtator, të vitit 2023, në Kosovë kanë ndodhur 17.455 aksidente e që është shifër më lartë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të shkuar (2022), atëherë kur janë regjistruar 15.672 aksidente. Në një përgjigje për Radio KFOR-in, Drejtoria për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun e Policisë së Kosovës, ka bërë të ditur se në periudhën janar-shtator të vitit 2023, nga numri total i aksidenteve (17.455), 76 kanë qenë aksidente fatale, ndërkohë numri i viktimave është 83 persona. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022, në periudhën janar-shtator, nga numri i përgjithshëm i aksidenteve (15.672), 69 kanë qenë aksidente fatale, ku 78 persona kanë humbur jetën.
Sa i përket aksidenteve me të lënduar, në periudhën janar-shtator të vitit 2023, kanë ndodhur 6.516 aksidente të tilla, ku janë lënduar 12.689 persona. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022, nga statistikat e Policisë së Kosovës, jemi informuar që kanë ndodhur 5.827 aksidente me lëndime ku për pasojë janë lënduar 11.097 persona. Derisa në periudhën janar-shtator të vitit 2022, Policia e Kosovës ka shqiptuar 497.856 tiketa trafiku, kjo shifër për periudhën janar-shtator të vitit 2023, është 480.035 tiketa trafiku të shqiptuara.
Për më shumë ndiqni tabelën me të dhënat nga Policia e Kosovës, për periudhën janar-shtator, të vitit 2023.