Në prani të përfaqësuesve të lartë të organizatës së OSBE-së në Kosovë, të institucioneve të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, sot (7 dhjetor), në Hotel “Swiss Diamond”, nga ora 10:00, u mbajt tryeza “16-të ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore – Qasja në drejtësi e viktimave të dhunës në familje me fokus në aspektet e sigurisë”.
Në kuadër të aktiviteteve të shumta që janë mbështetur nga OSBE-ja, për të shënuar ‘16-të ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore’, ishte organizuar edhe aktiviteti i sotëm. Radio KFOR-i intervistoi Zyrtaren Vendore për Ndërgjegjësim për Siguri Publike, Misioni i OSBE-së në Kosovë, znj. Shpresa Mulliqi, e cila tregoi për qëllimin e këtij aktiviteti: “Sot jemi bërë së bashku, me qëllim që të ngremë zërin me të gjitha institucionet e Kosovës, me fokus në aspektet e sigurisë. Nga ky takim presim që me zërin tonë, të bëhemi zë i fortë i viktimave dhe t’ua bëjmë të ditur, që ka një mori institucionesh të cilat janë të interesuara që t’i mbështesin në rrugëtimin e tyre dhe në ndalimin e dhunës që ushtrohet mbi ta. Mesazhi im, jo vetëm për gratë, por për të gjithë ne që jemi tubuar sot, dhe për gjithë në Kosovë, është që të jemi të zëshëm që ta luftojmë këtë dukuri dhe të jemi zëri i viktimave të cilat nuk guxojnë dhe nuk dinë se ku të drejtohen për ta luftuar dhunën ndaj tyre.”
Po kaq mesazh të fuqishëm, Radio KFOR-i mori edhe nga Këshilltarja për Çështje Gjinore, Misioni i OSBE-së në Kosovë, znj. Biljana Nastovska, e cila theksoi: “Unë kam një mesazh për të gjitha gratë në Kosovë dhe mesazhi im është se besoj fuqishëm se sot, e vetmja mënyrë për të ndalur dhunën ndaj grave, është që gratë të flasin dhe të refuzojnë të heshtin.”
“As edhe një më shumë”, kështu është titulluar kampanja e sivjetme e fushatës globale “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës mbi Bazë Gjinore”, e cila filloi më (25 nëntor) kur edhe u shënua “Dita Botërore e Eliminimit të Dhunës ndaj Grave” dhe mbaron më 10 dhjetor, kur shënohet “Dita Botërore e të Drejtave të Njeriut”.