Se të rinjtë tanë janë kreativ, ideator dhe të gatshëm për të shpalosur talentet e tyre në profile të ndryshme, po dëshmohet çdo ditë e më shumë përmes aktiviteteve të ndryshme që ata po marrin përsipër të organizojnë.
E tillë është edhe punëtoria “Micro:bit”, që po organizohet sot (16 gusht), në “American Corner”, në Prishtinë, ku inxhinierët e kompjuterikës, Flutura Sadiku dhe Dren Imeraj po i mësojnë pjesëmarrësit se si të përdoret ky program.
Më shumë rreth këtij programi dhe përdorimit të tij, në të cilin mund të marrin pjesë nxënësit nga mosha 12-16 vjet, na tregon Flutura Sadiku:
“Micro:bit është një kompjuter i vogël i programueshëm, të cilin mundemi me e përdorë për të mësuar programimin, për tëkrijuar projekte personale, si robotë, instrumente muzikore, ose me e përdore si ndihmë për të mësuar lëndët shkollore. Mbi të gjitha, përmes micro:bit, mundemi ta zhvillojmë të menduarit kritik dhe kreativ”, sqaroi për Radio KFOR-in, inxhinierja e kompjuterikes, Flutura Sadiku.
Vlen theksuar, se American Corner posedon 25 micro:bits, kurse shumica e shkollave në Kosovë i posedojnë këta kompjuter të vegjël, por për shkaqe të ndryshme ato përdoren shumë pak ose fare.
Mirëpo, siç na njoftoi Flutura, gjatë shtatorit dhe tetorit, përmes Youth Council të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, ajo bashkë me Drenin do të trajnojnë nxënësit dhe arsimtarët nëpër shkolla që të mësohen të përdorin programin micro:bits.