Në edicionin e tretë me radhë, konferenca më e madhe e marketingut digjital ‘Growth Tank’, tejkaloi pritshmëritë. Ajo bëri bashkë mijëra pjesëmarrës, folës vendorë, folës nga kompanitë më prestigjioze amerikane dhe evropiane, siç janë: Google, Facebook, Rapid Images e Link Marketing. Konferenca më e madhe e marketingut digjital në Kosovë, sivjet pati në fokus atë që ka sjell revolucion – Inteligjencën Artificiale. Të lumtur me mbarëvajtjen e konferencës dhe workshopeve, ishin edhe ekipi i Growzillas, që njëherit janë organizatore të ‘Growth Tank’. CEO dhe themeluesi i kompanisë Growzillas, z. Benjamin Kolenovic, për Radio KFOR-in tha: “Konferenca ka pasur panele dhe prezantime të ndërlidhura me AI dhe marketingun digjital. Ka pasur një interesim të jashtëzakonshëm nga audienca, ku kemi pasur diku 1.500 persona që kanë qenë prezentë, gjatë ditës së konferencës. Sa herë po e mendojmë konferencën, po vazhdojmë që të rrëqethemi, nuk është që unë çdo herë i kam pritshmëritë shumë të larta prej vetes dhe ekipit, por me të vërtetë dashuria dhe pasioni me të cilin ka punuar ekipi për këtë ngjarje, është jo vetëm inspiruese, por e pabesueshme.”
Në mesazhin e tij dhënë Radio KFOR-it për të gjithë të rinjtë, Z. Kolenovic, tha: “Unë i kisha këshilluar të gjithë të rinjtë, mos ti kufizojnë ëndrrat e tyre, me ëndërrua sa më shumë, me besu në vetveten e tyre dhe një këshillë që e kam gjenerale, është që mos ta krahasojnë asnjëherë vetën me të tjerët, po ta krahasojmë çdo herë vetën me vetveten, duhet të punojmë çdo ditë që të jemi më të mirë.”
Pjesë e Growth Tank ishte edhe eksperti dhe Drejtori i Shkencave të Marketingut dhe Agile Insights në LINK Institute, Dr. Steffen Schmidt, që është kompani marketingu për shumë kompani të mëdha botërore si Coca Cola, UBS Bank, etj.
Z. Schmidt, i cili ka qenë pjesë edhe e edicionit të dytë të ‘Growth Tank’, kur kishte folur vitin e kaluar për Inteligjencën Artificiale, tema në fjalë nuk kishte ngjallur shumë interesim, pasi dukej një e ardhme shumë e largët, mirëpo një vit më pas, Inteligjenca Artificiale është krye temë botërore, për çka z. Schmidt, tha se ndjehet i lumtur që i dolën parashikimet: “Ndihem i lumtur për këtë, sepse ishte parashikimi im dhe duke qenë se e di se çfarë fuqie ka AI dhe aftësitë e AI dhe që shumica e njerëzve tashmë i dinë. Inteligjenca Artificiale, është e dobishme për të gjithë, sepse ajo nuk ndryshon vetëm biznesin e së nesërmes, por tashmë e ka ndryshuar, qysh sot. Prandaj, sa më shpejt që të filloni ta adoptoni inteligjencën artificiale, ta zbatoni atë, aq më mirë do të ishte. Njerëzit nuk duhet të kenë frikë nga përdorimi i AI, ajo nuk zëvendëson fare vendet tuaja të punës, i përmirëson ato dhe është zëvendësim i vendeve të punës , në ato ku njerëzit nuk e përdorin AI dhe ky është parashikimi im. Prandaj, duhet të kombinoni të dyja, AI dhe inteligjencën tuaj natyrore njerëzore.”
Themeluesi i Asociacionit për Marketing Digjital ‘That Ad’, z. Nektar Qarri, i cili edhe vitin e kaluar ishte pjesë e panelit të ‘Growth Tank’, për Radio KFOR-in tha: “Ne kemi nevojë për konferenca të tilla, sidomos nga këto që sjellin folës nga vende të ndryshme botërore dhe kompani botërore, sepse edhe neve si treg, na duhet ekspertiza. Edhe ne në Kosovë, si treg jemi goxha konkurrues, mirëpo çdoherë na duhen praktika dhe ekspertiza në këtë pjesë. Përndryshe sa i përket kësaj fushe, mund të them që është profesion dinamik, ka sfida të ndryshme, me klientë të ndryshëm, projekte të ndryshme dhe nuk mërzitesh kurrë. Ne, që jemi të gjeneratave të fillimit, e kemi mësuar këtë profesion prej Google apo YouTube, nuk kemi pas universitete apo shkolla, prandaj sot, të gjitha janë në dispozicionin tuaj, vetëm duhet përkushtim, me qenë i përditësuar, gjatë gjithë kohës me i ndjek trendet dhe natyrisht nëse e shihni vetën që jeni kreativ dhe ke dëshirë me punu me reklama, është një mundësi shumë e mirë.”
Edicionin e tretë të konferencës ‘Growth Tank’, kompania Growzillas ia ka dedikuar z. Arlind Gjikollit, i njohur si Gjikla.