Përfaqësues nga Kosova do të marrin pjesë në Kampionatin Botëror të Lëvrimit që do të mbahet sot dhe nesër [30 dhe 31 gusht], në Minnesota të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Këtë vit zhvillohet edicioni i 66-të i këtij Kampionati, ku marrin pjesë 27 shtete të ndryshme të botës.
Në këtë Kampionat, garuesit nga Kosova po marrin pjesë për të shtatën herë, ku ndër vite kanë treguar rezultate pozitive.
Këtë vit Kosova përfaqësohet nga garuesi Lulzim Shehu, në disiplinën me plug konvencional, i mbështetur nga trajneri Afrim Sharku, si dhe kryetari i Organizatës së Lëvruesve të Kosovës, Alban Rama.
Përfaqësuesit e Kosovës thonë se kanë për qëllim shkëmbimin e praktikave më të mira të lëvrimit, përmirësimin dhe shfrytëzimin racional të tokës, duke u bazuar në rregulloren e Organizatës Botërore të Lëvrimit.
Kosova është anëtarësuar në Organizatën Botërore të Lëvrimit nëntë vite më parë.