Nesër (31 gusht), do të mbahet ceremonia përmbyllëse e edicionit të 8-të të Akademisë Verore Muzikore Evropiane – ESMA 2019.
Ceremonia përmbyllëse do të fillojë në orën 19:30, në Biblotekën “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.
Programi i ceremonisë përmbyllëse do të karakterizohet nga opera, me performancat e përgatitura nga pjesëmarrësit e masterklasave në Teatrin e Këndimit dhe Muzikës me Caroline Isabel Merz, Götz Seiz dhe Desar Sulejmani.
Edicioni i 8-të i Akademisë Verore Muzikore Evropiane – ESMA 2019 këtë vit është shënuar me kurse instrumentale, të muzikës së dhomës dhe ngjarje të ndryshme artistike, të cilat janë mbajtur në qytetin e Prishtinës, Pejës dhe Gjakovës nga data 22 gusht.
Muzikantët e rinj (nga mosha 13 deri 27 vjet) nga vendet e Evropës Juglindore kanë pasur mundësi që të marrin mësime, njohuri, këshilla dhe demonstrime të ndryshme, në instrumentet përkatëse nga profesorë të njohur evropianë, si dhe të ndajnë përvoja muzikore e jetësore me kolegët e tyre nga vende të ndryshme evropiane.