Një dimër pa reshje, me mot të dominuar nga mjegulla dhe temperatura më të larta se viteve të kaluara, ka bërë që edhe në Kosovë të shqyrtohet me seriozitet më të madh çështja e ndryshimeve klimatike, e cila është shndërruar në shqetësim global. Pikërisht për këtë çështje, Revista “Kosovo 2.0”, në kuadër të programit “Hajde Folim”, do të organizojë nesër (21.01.20) një diskutim të hapur, të titulluar “Kundërsulmi Ndaj Ndryshimeve Klimatike”. Ky diskutim do të filloj në orën 17:30 dhe do të mbahet në “Hub 2.0”, ndërsa folës do të jenë: Delvina Haxhijaha (nga Balkan Green Foundation), Edonis Hashani (nga Termokiss), Learta Hollaj (nga Instituti për Politika Zhvillimore INDEP) dhe Granit Gashi (nga GAIA Kosovo).
Me këtë të fundit, Z. Gashi, Radio KFOR-i ka realizuar një intervistë për efektet e ndryshimeve klimatike në Kosovë dhe masat që duhet të ndërmirren për t’i parandaluar ato. “Sipas të dhënave që kemi, Kosova e ka trendin më të lartë të nxehjes në krahasim me shtetet tjera të Ballkanit, e kjo është shqetësuese. Kemi një trend të rritjes së temperaturave dhe nivelit të tharjes. Andaj, këshillat e mia janë këto: mundohuni që të jeni të informuar për këtë çështje, sepse informacioni është i qasshëm dhe i shpejtë. Uleni konsumin e mishit, sepse industria e prodhimit të mishit është një ndër ndotësit me të mëdhenj në botë. Mbillni sa më shumë fidane, sepse do t’u duhen gjeneratave të ardhshme si dhe bëhuni faktor për inicimin e politikave të gjelbëra. Iniciativa për Mbrojtjen e Badovcit dëshmoi se nëse bëhemi bashkë, mund t’i shkundim edhe malet”, tha Z. Granit Gashi për Radio KFOR-in.