Situata e krijuar në Kosovë nga pandemia e njohur si ‘Covid 19’, ka bërë që edhe Grupi i Meraklive të Çiklizmit ‘Marakli t’Biciklave’, të anulojnë aktivitetet e parapara për ditët në vijim.
Në një deklaratë për Radio KFOR-in, kryetari i këtij Grupi, Berat Rakovica, ka thënë se aktivitetet janë shtyrë deri në tejkalimin e kësaj situate. Pavarësisht kësaj, duket se aktivitetet me biçikletë do t’i mungojnë një komuniteti të gjerë, sepse kohëve të fundit ka pasur më shumë qytetarë që preferojnë ngasjen e biçikletës tha Z. Rakovica dhe më tej shtoi: “Sporti i Çiklizmit në vendin tonë nga viti në vit ka filluar te ketë rritje dhe shumica e qytetarëve kanë filluar ta shohin biçikletën si mjet primar për transport, sidomos në qytete, ku komunikacioni vazhdon të jetë problemi kryesor për shumëkë. Duke parë rritjen e vetëdijësimit për çiklizëm, ne si grup vazhdimisht kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë nga organet komunale më shumë shtigje dhe shenjëzim për biçikleta.”
Z. Rakovica përmendi edhe përfitimet e shumta të ngasjes së biçikletës: “Ne si pasionant të këtij sporti e kemi detyrë t’i paraqesim edhe benefitet e ngasjes së biçikletës për ata që nuk i dijnë, e ato janë të shumta duke filluar nga kursimi i kohës (jo pritje në trafik të ngarkuar), më pak shpenzime karburanti njëkohsisht më pak djegie derivatesh e më pak lirim i Dioksidit të Karbonit, po ashtu nga aspekti shëndetësor, biçikleta është kurë e mirë për njerëzit që kanë probleme me obezitetin si dhe sëmundjet tjera si diabeti, tensioni i lartë, apo depresioni. Njëkohësisht biçikleta të ofron mundësinë të afrohesh me natyrën dhe të bënë ta kuptosh rëndësinë e ambientit që na rrethon.”
Në fund të deklaratës, Z. Rakovica ka inkurajuar të gjithë që ta përdorin biçikletën sa më shumë, sepse kështu kujdesemi për shëndetin dhe natyrën ku jetojmë.