‘Dita Botërore e Lumenjve’ çdo vit shënohet në të dielën e katërt të muajit shtator dhe mëton të rris ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e lumenjve dhe inkurajon ruajtjen e tyre. Kjo ditë u themelua nga mbrojtësi dhe avokuesi për mbrojtjen e lumenjve, z. Mark Angelo, në vitin 2005. Pasioni i Angelo’s për mbrojtjen e lumenjve, filloi dekada më parë dhe përpjekjet e tij për mbrojtjen e tyre, çuan në themelimin e kësaj dite globale, që tani e njohim si ‘Ditë Botërore të Lumenjve’.
Lumenjtë janë të domosdoshëm për të gjitha format e jetës, meqë sigurojnë ujë të pijshëm, mbështesin biodiversitetin dhe shërbejnë për të ujitur tokat e mbjella.
Megjithatë, ndotja, mbetjet industriale, shpyllëzimi, ndryshimi ilegal i kahjes së tyre dhe shfrytëzimi i tepërt i ujit, kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në shumë lumenj në mbarë botën. Kjo ditë adreson dhe thekson këto sfida si dhe frymëzon përpjekjet kolektive për të rivendosur dhe ruajtur lumenjtë tanë, për brezat e ardhshëm. Andaj, sot bëhet thirrje për të mbrojtur dhe për të njohur rëndësinë e lumenjve dhe ekosistemeve të tyre.







