Qendra e Gjuhës dhe Kulturës Italiane “DANTE” do të organizojë të enjten (14 nëntor) një event për degustimin e verës italiane dhe të kultivimit të vajit.
Në kuadër të këtij eventi, do të mbahet ligjëratë nga Andrea Motta, i cili është ekspert i vajrave të ullirit dhe i verërave të Italisë.
Arjeta Berisha, profesoreshë e gjuhës italiane në Qendrën “DANTE” për Radio KFOR-in ka treguar arsyen e organizimit të këtij eventi:
“Ne si Qendër, përveç kurseve që organizojmë çdo muaj, organizojmë edhe evente kulturore. Vera dhe kultivimi i vajit të ullirit tashmë janë pjesë e kulturës italiane, prandaj ne kemi vendosur ta sjellim një profesor, i cili është ekspert i verërave nga Sicilia dhe gjatë ligjëratës së tij, ai do të flas pikërisht për verërat dhe kultivimin e vajit të ullirit. Natyrisht, që ligjërata është e hapur për të gjithë, andaj janë të ftuar të gjithë të interesuarit”, tha Berisha për Radio KFOR-in.
Berisha tutje tregoi se në fund të ligjëratës, pjesëmarrësit do të shërbehen edhe me një gotë verë, andaj ka ftuar të gjithë të interesuarit që të marrin pjesë dhe ta shijojnë këtë natë të këndshme.