Letërsia dhe librat në përgjithësi, na dhurojnë njohuri të panumërta dhe pasurojnë botën tonë imagjinare, nëpërmes titujve të shumtë që botohen nga letërsia botërore dhe vendore. Leximi përveç përfitimeve të shumta që sjellë nga ana profesionale, na ndihmon që të shohim botën në perspektiva të ndryshme. Sot me 2 prill, bota shënon ‘Ditën Ndërkombëtare të Librave për Fëmijë’, një ditë kjo, për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e leximit tek fëmijët. Për të shënuar këtë ditë, Radio KFOR-i bisedoi me menaxherin e librarisë ‘Artini-Tonena’ në Prishtinë, z. Artin Ahmeti, i cili ndër të tjera tregoi më shumë rreth interesimit të lexuesve të vegjël: “Një pjesë e mirë e lexuesve në librarinë tonë janë fëmijët dhe viteve të fundit vërehet se ka një interesim edhe më të madh nga fëmijët për të lexuar, po ashtu diçka që vlen të përmendet është se çdo vit e më shumë fëmijët janë në hap me letërsinë botërore. Ata janë të interesuar që të lexojnë vepra të cilat janë trend botëror, nga autorët më bashkëkohorë në letërsinë për fëmijë. Interesimi më i madh i fëmijëve është për veprat e autorëve të përkthyer si: David Walliams, Jeff Kinney, Liz Pichon, Dave Pilkey, Mary Pope Osborne dhe të tjerë.”
Leximi dhe njohja me librin, duhet të bëhet praktikë dhe rutinë e fëmijëve nga prindërit dhe mësimdhënësit dhe nëpërmes librit fëmijët do të fitojnë një nga vetitë më të mira në jetë, pasurimin e njohurive në fusha të ndryshme.