Rrugëtimin e tyre në botën mediale e filluan pikërisht para 23 vjetëve, me entuziazëm dhe dashuri të madhe, duke kontribuar çdo ditë me punën e tyre në misionin e KFOR-it në Kosovë.
Në një retrospektivë vitesh, menaxherja e revistës ‘For You’, Leonora Shabanaj Niksic dhe producenti i studio produksionit të KFOR-it, Benet Kaçi, shpalosën ‘valixhen’ e kujtimeve të tyre sot në kuadër të emisionit të mëngjesit në Radio KFOR.
Për z. Kaçi, këto 23 vjet ishin të shpejta dhe të mbushura me eksperienca, përvoja fantastike dhe kolegë të dashur: “Këto 23 vjet ishin të shpejta, një rrugëtim i bukur, mirëpo kushtet, ambienti, njerëzit e kanë bërë edhe më të bukur gjithë këtë rrugëtim. Gjithë këto vite kemi pasur momente gëzimi, momente edhe trishtimi por gjithë këto i kemi kaluar bashkë si një familje me kolegë dhe besoj që kjo është vlerë e shtuar. Jam falënderues, krenar dhe i privilegjuar që vazhdoj të shërbej për misionin e KFOR-it në Kosovë. Këshilla ime sidomos për të rinjtë është që të mësoni sa më shumë dhe të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të mos dorëzohen, sepse ka dritë përtej tunelit.”
Menaxherja e revistës ‘For You’, Leonora Shabanaj Niksic, ndonëse në vitin 1999, kur edhe kishte filluar punën si gazetare, po ndiqte studimet për mjekësi, ajo u mishërua me gazetarinë dhe tani pas 23 vitesh kujton gjithë këto vite pune në KFOR: “Kemi kaluar dhe kemi pasur momente shumë të lumtura gjatë kësaj kohe, momente të bukura që nuk do ti harroj asnjëherë. Një nga ngjarjet që nuk do e harroj asnjëherë, është një vizitë në një shkollë në fshatin Likoc, në Skënderaj, ku një gjeneral Amerikan, vizitoi këtë shkollë me stafin e revistës ‘For You’ dhe qysh në hyrje të fshatit deri tek shkolla, pritja ishte madhështore nga prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit. Jam falënderuese dhe mirënjohëse, për gjithë këto vite të mrekullueshme dhe ftoj të rinjtë, të lexojnë sa më shumë, të ndjekin rrugët e mbara dhe të punojnë sa më shumë, sepse me punë suksesi do të jetë i garantuar dhe këtë e them nga përvoja ime personale.”
KFOR-i tash e 23 vite në shërbim të paqes në Kosovë, u bë shtëpia e dytë e shumë punonjësve civil, të cilët me dashuri dhe përkushtim kontribuuan në këtë mision.