Njerëzit më të suksesshëm të botës, nuk janë të tillë sepse u zgjodhën nga turma, por ishin ata vet që zgjodhën punën dhe përkushtimin, për ta jetësuar suksesin që gëzojnë sot. I tillë është edhe personazhi që Radio KFOR-i e përzgjodhi sot, që të ndaj me ju suksesin e tij, që mund të konsiderohet shembull për tu ndjekur nga brezat e rinj. Është ky z. Lekë Zherka, i cili sot është Kryetar në ‘Kosova Makers League’ dhe njëherit Drejtor Menaxhues në Institucionin arsimor ‘BONEVET’, që shërben si hapësirë krijuese, ku fëmijët nxiten që të zbulojnë talentet dhe aftësitë e tyre dhe t’i zhvillojnë ato me pasion dhe dashuri. E dimë që rruga drejt suksesit është e gjatë, rraskapitëse dhe shpesh e mundimshme, por cili ka qenë rrugëtimi i Lekës, ne tregon vet ai:
“Unë besoj që zhvillimi personal është rezultat i një pune të vazhdueshme, që sjell rezultate në zhvillimin e secilit individ dhe rrethit ku jetojmë. Nuk ka asnjë mënyrë të lehtë për të arritur suksesin, ai ndërtohet gradualisht, nuk del nga iniciativa të vetme. Ju duhet të pushtoni çdo pëllëmbë të tokës në rrugën tuaj drejt suksesit. Dhe nga suksesi, nuk u referohem shënuesve të jashtëm të suksesit. Nuk është e rëndësishme të shkosh pas titujve dhe statusit shoqëror, as pas famës dhe pasurisë. Është gjetja e ekuilibrit të duhur midis arritjeve personale dhe një kontributi kuptimplotë për të mirën e përgjithshme të shoqërisë. Ndjehem i përmbushur që në Institucionin, të cilin e drejtoj, përveç tjerash, ne u mësojmë fëmijëve se suksesi kërkon përkushtim dhe punë të vështirë.”
Siç këshillon Leka, pavarësisht sfidave që mund t’i keni gjatë rrugës suaj të suksesit, ajo çfarë duhet të bëni, është të këmbëngulni në realizimin e plotë të tij dhe të punoni, qoftë edhe përtej standardit të mjedisit tuaj.