Sot (31.10.23), në shumicën e vendeve të botës shënohet festa e Halloween-it, emër ky që është interpretim modern i ‘All Hollows’ Eve’ të Irlandës, apo ‘Dita e të Gjithë Shenjtorëve’.
Halloween ngërthen në vete shumë gjëra të frikshme, si dita e rikthimit të shpirtrave të vdekur, shtrigave me fshesë, maceve të zeza, errësirës, etj. Kunguj të mëdhenj të ndriçuar, skelet njerëzor, kostume të shumëllojta të çuditshme dhe të frikshme, janë të pranishme gjithandej dhe nga viti në vit, shënimi i kësaj feste ka ardhur duke u shtrirë çdo herë e më shumë. Por, cilat janë legjendat dhe mitet për këtë festë? – Festa e Halloween-it besohet se arriti në SHBA, së bashku me emigrantët irlandezë. Dita e 31 tetorit, shënon fundin e Vitit të Keltëve dhe besohet të jetë dita kur shpirtrat e atyre që kanë vdekur një vit më herët, kthehen për të zënë vend në trupin e një të gjalli. Legjenda thotë se shpirtrat që kishin vdekur gjatë atij viti, mblidheshin së bashku për t’u përzier me botën e të gjallëve dhe më pas për të nisur rrugën drejt një bote tjetër. E diçka që nuk është as mit e as legjendë, por statistikë, thotë se në shënimin e Halloween-it, çdo vit rreth 40% e popullsisë amerikane vishet me kostume të ndryshme, konkretisht 120 milionë individë, mes tyre fëmijë, të rritur, madje i veshin edhe kafshët shtëpiake. Sipas Shoqatës së Tregtarëve Amerikanë, mbi 11% e qenve dhe maceve shtëpiake vishen nga pronarët e tyre, me maska.
Disa nga kostumet më popullore që kanë veshur ndër vite, të rriturit, janë: si shtrigë, vampir, pirat, infermiere, vampir, mace, mumie, zanë, Batman, etj.