Pasioni dhe dashuria për leximin, poezinë dhe letërsinë, e kanë përcjellë vazhdimisht nxënësen e shkollës fillore ‘Nonda Bulka’, Lauresa Xhosha nga Mitrovica, e cila këtë pasion dhe dashuri e ka jetësuar në katër libra të botuar deri më tani. ‘Gëzimet e Jetës’ dhe ‘Këshilla për Fëmijë’ janë dy titujt e parë që ka botuar Lauresa. Ajo pëlqen të shkruajë tregime, por edhe poezi për familjen, mësimdhënësit dhe personat më të dashur për të. Radio KFOR-i zhvilloi një bisedë me autoren e re, e cila tregoi më shumë për inspirimin e saj: “Frymëzimin e gjej tek prindërit, mësimdhënësit sepse ata janë shtylla kryesore që më kanë motivuar të shkruaj. Por frymëzimi im vjen edhe nga natyra dhe gjërat e bukura që shoh apo lexoj dhe thjeshtë nga dashuria që kam për leximin. Unë synoj të vazhdoj edhe më tej të shkruaj, por kam dëshirë që në të ardhmen të bëhem mësimdhënëse e gjuhës shqipe, pasiqë gjuha shqipe është lënda ime e preferuar”. Për tu pasuruar me njohuri të shumta, për tu zhytur në botën e ëndrrave dhe aventurave të pafundme që sjellë libri, Lauresa e cila është sinonim i suksesit me një të ardhme premtuese, porositi të gjithë fëmijët që librin ta kenë mikun më të mirë të tyre.