Përmbledhjen javore në teknologji e fillojmë me një lajm që ‘tingëllon si një ëndërr e që është shumë e mirë për të qenë e vërtetë’, sidomos për ata që udhëtojnë shpesh me aeroplanë. Udhëtimet e pasagjerëve nëpër Atlantik mund të shkurtohen shumë, falë një linje të re ‘hipersonike’, që pritet të vihet në punë. Një kompani e hapësirës ajrore në Teksas e quajtur Venus Aerospace është duke punuar në aeroplanin hipersonik të quajtur Stargazer, i cili, nëse vihet në veprim edhe për udhëtime komerciale, mund të përfundojë udhëtimin prej rreth 5.550 kilometrash nga Londra në Nju Jork në më pak se një orë.
Të reja javore kemi edhe nga Japonia që është bërë vendi i parë në botë që përdorë USB4 2.0, duke ofruar shpejtësi të transferimit të të dhënave deri në 80 Gbps, dyfishin e shpejtësisë së USB4 standarde. Edhe robotika ka qenë mjaftë e angazhuar këtë javë.
MAiRA Pro S është një dirigjente robotike e gjeneratës së ardhshme që debutoi në Dresden të Gjermanisë. Orkestra Sinfoniker e Dresdenit, organizoi dy performanca për të treguar përparimet teknologjike dhe muzikën moderne të përshtatur për teknologjinë e shekullit të 21-të. Drejtori artistik Markus Rindt theksoi se qëllimi nuk është zëvendësimi i dirigjentëve njerëzorë, por drejtimi i muzikës komplekse që është sfiduese për njeriun.
Në fokus këtë javë ka qenë edhe TikTok. Trembëdhjetë shtete amerikane kanë paditur aplikacionin , duke e akuzuar se aplikacioni po e dëmton shëndetin mendor të fëmijëve dhe nuk i mbron mjaftueshëm ata. Në mesin e vendeve amerikane që kanë ushtruar padi, janë: Kalifornia, Luiziana, Masaçusets, Misisipi, Nju Xhersi, New York, Karolina e Veriut, Karolina e Jugut si dhe Uashingtoni.







