Zbulimi i energjisë elektrike është kthesa më e madhe e historisë së njerëzimit. Energjia elektrike kontribuon dhe kushtëzon pothuajse çdo sferë të jetës, andaj kursimi i saj është obligueshëm për secilin individ. Se kursimi i energjisë elektrike ndikon edhe në mjedisin e planetit tonë, e thotë edhe themeluesja dhe drejtoresha e “Astronomy Outreach of Kosovo”, Pranvera Hyseni, e cila në një intervistë për Radio KFOR-in theksoi: “Kursimi i energjisë redukton ndotjen e ajrit dhe ujit, si dhe kursen burimet natyrore, gjë që krijon një mjedis jetese më të shëndetshëm. Në të njëjtën kohë, efikasiteti kursen të holla dhe krijon vende pune. Përdorimi i tepërt i energjisë ndikon jo vetëm në rritjen e kostove, por gjithashtu ndikon në pakësimin e rezervave natyrore dhe dëmton ekosistemin. Minierat, prerja dhe nxjerrja e mineraleve fosile për sigurimin e lëndëve djegëse dëmtojnë habitatet në tokë dhe në oqean. ” Znj. Hyseni thotë se përdorimi i drejtë i energjisë elektrike ndikon edhe në ndryshimet klimatike dhe më tutje veçoi: “Ruajtja e energjisë është një temë e rëndësishme që ndikon drejtpërdrejt në jetën tonë. Në nivel global, përdorimi i energjisë përfaqëson deri tani burimin më të madh të emetimit të gazrave serrë në atmosferë nga aktivitetet njerëzore, duke ndikuar drejtpërdrejt në ngrohjen globale, dukuri e cila shkakton ndryshime klimatike, të cilat përbëjnë një kërcënim serioz për jetën në tokë. Ndryshimi i klimës rezulton në valë të nxehtit, thatësirave, rritjes së nivelit të detit, përmbytjeve, si dhe shkakton gjasa më të mëdha për katastrofa natyrore. Prandaj, reduktimi i përdorimit të energjisë zvogëlon kërkesën për karburante fosile dhe, nga ana tjetër ulë nivelet e dyoksidit të karbonit në atmosferë, që ndikon drejtpërdrejt në ruajtjen e planetit Tokë. ”
Themeluesja dhe drejtoresha e “Astronomy Outreach of Kosovo”, Pranvera Hyseni gjithashtu ndau edhe këshilla, për dëgjuesit e Radio KFOR-it, se si të kursehet energjia elektrike: “Ruajtja e energjisë elektrike në shtëpi nuk është e mirë vetëm për mjedisin, por mund të ju ndihmojë gjithashtu në uljen e faturave mujore të energjisë. Duke përdorur më pak energjinë elektrike, ne mund të japim kontributin tonë në ndryshimin e klimës, duke kursyer edhe në të holla. Ekzistojnë një numër i madh mënyrash të thjeshta dhe efektive për ruajtjen e energjisë, p.sh: fikja e dritave dhe pajisjeve elektronike kur nuk i përdorim, zëvendësimi i poçave tradicional me LED, izolimi më mirë i shtëpive, përdorimi i veturave elektronike, zëvendësimi i energjisë elektrike me atë solare, etj. Kështu, secili prej nesh mund të bëjë një ndryshim, sepse çdo ndryshim fillon nga një hap i vogël. ”
“Humbja e sotme është mungesa e së nesërmes”, andaj ta kursejmë energjinë elektrike për të mirën e planetit tonë dhe të brezave të ardhshëm!