Shkrimi i një letre nuk është thjesht një veprim komunikimi, është një akt krijues, një mënyrë për të ndarë emocione, kujtime dhe mendimet në një formë që zgjat më shumë se një mesazh i thjeshtë elektronik. Letra ka fuqinë të bëjë që çdo fjalë të ndihet më personale dhe çdo mesazh të jetë më i vëmendshëm dhe i vlerësuar.
Pra, në epokën e komunikimit digjital, kur mesazhet shkojnë dhe vijnë me një klik, “Dita Botërore e Shkrimit të Letrave” na kujton fuqinë e veçantë të letrës së shkruar me dorë. Kjo ditë është një ftesë për të ndalur për një moment dhe për të rikthyer atë magji që vjen nga germat që formojnë fjalët tona në letër, një lidhje personale, e ngrohtë dhe e përjetshme.
“Dita Botërore e Shkrimit të Letrave”, frymëzon njerëzit në mbarë botën të marrin një laps e letër dhe të shkruajnë për dikë që e duan, për një mik apo një familjar. Është një mënyrë për të ndërtuar ura, për të kultivuar marrëdhënie dhe për të ndarë pjesë të shpirtit tonë në mënyrë autentike. Sepse në fund të fundit, një letër është më shumë se fjalë, është një dhuratë e vërtetë për zemrën.







