Kujdesi ndaj vetes është jashtëzakonisht i rëndësishëm për mirëqenien fizike, mendore dhe emocionale. Kujdesi nuk është një luks apo egoizëm, por një nevojë thelbësore për të jetuar një jetë të shëndetshme dhe të balancuar.
Andaj, çdo vit me datën 24 korrik, shënohet ‘Dita Ndërkombëtare e Kujdesit për Veten’, që ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e kujdesit për shëndetin mendor, fizik dhe emocional të individit.
“Self-care” apo kujdesi ndaj vetes, nënkupton çdo veprim që një person ndërmerr për të përmirësuar apo ruajtur shëndetin dhe mirëqenien e tij. Kjo përfshin: gjumë të rregullt, ushqim të shëndetshëm, aktivitete fizike, menaxhim të stresit, marrjen e kohës për pushim e relaks si dhe kërkimin e ndihmës profesionale kur është e nevojshme. Qëllimi i kësaj dite është të inkurajojë njerëzit që të marrin përgjegjësi për shëndetin e tyre, të nxisë praktikat e shëndetshme të jetesës, të promovojë rëndësinë e parandalimit të sëmundjeve përmes vetë kujdesit dhe të rrisë ndërgjegjësimin për shëndetin mendor dhe emocional.
Nuk mund të bësh apo japësh për të tjerët, nëse nuk je mirë me veten.







