Komuna e Prishtinës është duke u kujdesur për shëndetin oral të nxënësve të kryeqytetit, ku përmes Facebook-ut zyrtar, ka bërë ftesë për të filluar vitin e ri shkollor me dhëmbë të fortë, shëndet të mirë dhe buzëqeshje të ëmbël.
Sipas këtij njoftimi, nga data 21 deri me 30 gusht do të organizohen ditët e fluorizmit dhe vulosjes së fisurave të dhëmbëve tek fëmijët.
Fluorizimi është një nga mënyrat më të mira për të forcuar zmaltin e dhëmbit, kurse vulosja e fisurave është trajtim i paradhëmballëve dhe dhëmballëve, duke parandaluar në këtë mënyrë prekjen e tyre nga kariesi.
Me këtë rast, prindërit mund t’i dërgojnë fëmijët në Poliklinikën Stomatologjike, prej orës 7:30 deri në ora 13:30, kurse për termine mund të kontaktojnë në numrin: 038/247-750.