Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Ndihmës së Parë, Kryqi i Kuq i Kosovës do të organizojë sot (12 shtator) garën e ekipeve të ndihmës së parë në nivel vendi, ku do të marrin pjesë ekipet fituese nga komunat e Prishtinës, Mitrovicës, Gjilanit, Ferizajt, Klinës dhe Dragashit.
Për të ditur më shumë për aktivitetet e sotme, Radio KFOR-i ka kontaktuar zyrtarin për media në Kryqin e Kuq të Kosovës, Armend Shalën:
“Sot do të mbahet gara e ekipeve të ndihmës së parë në nivel vendi. Është garë që mbahet mes regjioneve që kanë qenë ekipe fituese. Kjo garë fillimisht ka nisur në nivelin lokal, ku të rinjtë e shkollave të mesme së pari janë trajnuar për dhënien e ndihmës së parë, pra ka qenë qenë gara në nivel komunal, Më 8 Maj, për Ditën Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq ka qenë gara rajonale, ndërsa sot organizohet gara mes ekipeve fituese në nivel vendi. Qëllimi i këtyre aktiviteteve është sensibilizimi për rëndësinë e dhënies së ndihmës së parë në raste të aksidenteve e lëndimeve të ndryshme, meqë dihet se rëndësia e dhënies së ndihmës së parë është shumë e madhe, me qëllim të zvogëlimit të pasojave që vijojnë pas lëndimeve”, tha z.Shala.
Ai ka edhe një porosi për të gjithë dëgjuesit e Radio KFOR-it, sa i përket rëndësisë së dhënies së ndihmës së parë:
“Porosia e Kryqit të Kuq është që të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e kurseve tona për dhënien e ndihmës së parë, qoftë me pagesë apo pa pagesë në mënyrë që të arrijnë aftësitë e tyre bazike, në mënyrë që me i dalë në ndihmë dikujt në rast të nevojës”.
Ofrimi i ndihmës në rastet e tilla duhet të jetë i parezervë ndaj secilit qytetar, pa asnjë dallim të vetëm, andaj mos ta kursejmë humanitetin në rastet kur të tjerët kanë nevojë për ne.