‘Çdo gjë e bëjmë me zemër’, me këtë moto këtë vit shënohet ‘Dita Botërore e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe’. Kjo ngjarje vjetore çdo vit festohet me 8 maj, në përvjetorin e lindjes së Jean-Henry Dunant, i cili ishte themeluesi i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe fituesi i Çmimit të parë Nobel për Paqe. Për nder të kësaj dite, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me zyrtarin për media dhe komunikim në Kryqin e Kuq të Kosovës, z. Armend Shala, i cili na tregoi për aktivitetet që kanë organizuar për këtë ditë: “Për nder të 8 Majit – Ditës Botërore të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, Kryqi i Kuq i Kosovës që nga fillimi i muajit prill, ka filluar aktivitetet në 26 degë, për organizimin e garave komunale për Ndihmën e Parë, në shkollat e mesme. Me këtë rast, do të organizohen gara për dhënien e Ndihmës së Parë, në nivel Regjional.”
Siç mësuam nga z. Shala, aktivitetet tjera të planifikuara, janë kryesisht aktivitete informuese përmes mediave të shkruara dhe elektronike si dhe rrjeteve sociale, lidhur me historikun e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe në botë, organizimin, funksionimin, aktivitetet dhe në përgjithësi për misionin humanitar të tyre.