Tingujt e flautës dhe të harpës, do të jenë sonte (19.06.19) pjesë e koncertit recital, duke filluar nga ora 20:30 në ‘Bibliotekën Kombëtare të Kosovës’, në Prishtinë. Ky projekt udhëhiqet nga Dafina Zeqiri Nushi, në bashkëpunim me Festivalin ‘Tingujt e Flautit’, ku fillimisht ky festival nisi realizimin me hapjen e konkursit ndërkombëtar ‘The Composer’s Site’, ku promovohen veprat e reja të artistëve nga e gjithë bota. Në këtë koncert në flautë do të paraqitet Erëmira Çitaku, ndërsa në harpë artisti turk Çağatay Akyol.
Ky projekt mbështetet nga programi ‘Kultura për ndryshim’, që financohet nga ‘Bashkimi Evropian’, menaxhohet nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe zbatohet nga Qendra Multimedia dhe Instituti Gëte. Gjithashtu përkrahet edhe nga Drejtoria për kulturë në Komunën e Prishtinës dhe Filharmonia e Kosovës.