Kosova, njihet për peizazhin e bukur natyror, me një listë të gjatë të vendeve që presin ngrohtësisht turistët vendorë, mirëpo edhe nga të gjitha vendet e botës. Me ardhjen e stinëve të nxehta, dëshira që të arratisemi nga qyteti drejt peizazheve natyrore, qoftë edhe për një mesditë, sa vjen e shtohet. Radio KFOR-i sot ju sjell disa prej vendeve që janë destinacione perfekte për të ikur larg zhurmës së qytetit.
Malet e Rugovës, janë një nga destinacionet më mbresëlënëse të Kosovës për të gjithë ata që e duan natyrën dhe aventurën. Me lugina të thella, ujëvara të kristalta dhe shtigje të shumta për ecje malore, kjo zonë është ideale për një fundjavë larg qytetit. Në Rugovë, kemi edhe Ujëvarën e Drinit të Bardhë, që përbënë një nga desitnacionet turistike më të vizituara.
Prevalla, është sinonim i qetësisë dhe freskisë malore. Vetëm rreth një orë nga Prizreni, Prevalla ofron një peizazh magjepsës malor. Ajri i pastër, pyjet e dendura dhe mundësitë për piknik apo shëtitje, e bëjnë këtë vend një zgjedhje të shkëlqyer për një arratisje të qetë fundjave.
Brezovica, edhe pse e njohur si destinacion dimëror, ka shumë për të ofruar edhe gjatë tre stinëve të tjera. Një panoramë malore që ofron edhe mundësi për ecje, çiklizëm malor apo thjesht relaksim në ndonjë prej bujtinave lokale, Brezovica është një vend tjetër që mirëpret vizitorë, në çdo stinë të vitit.
Prizreni, i pasur me histori dhe kulturë në çdo hap, është një nga qytetet ideale kur kërkojmë të kalojmë një fundjavë me më shumë jetë kulturore. Qyteti historik ofron rrugë të kalldrëmta, ura të vjetra, pamje fantastike nga Kalaja, janë këto kujtime të bukura që mund të krijojë secili vizitor.
Mirusha, është një perlë tjetër natyrore e Kosovës, që çdo turist duhet të vizitojë të paktën një herë. Me më shumë se 16 ujëvara dhe një sërë liqenesh të vogla, ky park është perfekt për një ditë eksplorimi dhe relaksi pranë ujit.
Liqeni i Badovcit, i ndodhur vetëm disa minuta larg Prishtinës, ofron një ambient të qetë për shëtitje, piknik apo edhe një kafe me pamje relaksuese. Është destinacion perfekt për ata që duan një pushim të shkurtër. E veç këtyre vendeve, qoftë për aventurë në male, për relaks në natyrë apo eksplorim kulturor, Kosova ka edhe shumë e shumë vendet të tjera, që ofrojnë gjithçka që kërkojmë, për një ditë apo fundjavë të paharrueshme.







