Nën moton “PËRKUJTO, MBËSHTET & VEPRO”, Policia e Kosovës me aktivitete të shumta shënon “Ditën Botërore të Përkujtimit të Viktimave në Trafik”. Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, dërguar Radio KFOR-it, në periudhën Janar-Tetor 2020, në rrugët e Kosovës kanë ndodhur 63 aksidente fatale, ndërsa kanë vdekur 68 persona në aksidente përgjatë të njëjtës periudhë. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të shkuar (2019) kemi një rënie të aksidenteve fatale prej 20.25%, ose 16 aksidente fatale më pak si dhe një rënie të personave të vdekur në aksidente prej 26.09% ose 24 viktima më pak se në 2019. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, z. Baki Kelani, përmes frekuencave të Radio KFOR, sërish ka apeluar për kujdes të shkuar në trafik: “Policia e Kosovës është e përkushtuar në mbajtjen e rendit, garantimin e sigurisë publike si dhe menaxhimin dhe kontrollin e trafikut rrugor, nëpër të gjitha rrugët e vendit. Policia e Kosovës sipas planifikimeve operacionale parasheh aktivitete të shtuara me qëllim që të parandalohen aksidentet dhe të rritet siguria në trafik. Veç aktiviteteve, Policia e Kosovës KËRKON-APELON tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor si dhe t’iu përshtaten kushteve të rrugës dhe atyre atmosferike.”
“Dita Botërore e Përkujtimit të Viktimave në Trafik” shënohet në të dielën e tretë të muajit nëntor. Për të shënuar këtë ditë, Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucione tjera, ka mbajtur aktivitete të ndryshme nga data 9 deri më sot, 15 nëntor.