Gjigantët e teknologjisë Amazon, Apple, Google dhe Facebook, kanë shënuar fitime marramendëse në periudhën e pandemisë, kjo si pasojë e rritjes së përdoruesve të shërbimeve online dhe reklamave.
Këtë javë janë publikuar fitimet e këtyre kompanive për tre mujorin e fundit dhe del se katër kompanitë së bashku, kanë fituar plot 38 miliardë dollarë.
Kompania e Jeff Bezos, “Amazon”, krahasuar me vitin e kaluar ka rritur fitimet për 37 përqind. Në anën tjetër “Facebook”, ka rritur fitimet në biznesin e reklamave, pasi gjithnjë e më shumë bizneset e vogla kanë kaluar tek shitjet online, si përgjigje ndaj mbylljes dhe rrethanave që ka sjellë pandemia. Kompania Google, fitimet më të mëdha i ka arritur me platformën e videove “YouTube”, teksa njerëzit kanë qëndruar më shumë në shtëpi duke e përdorur këtë platformë. Ndërsa në këtë kohë kur kryefjalë ka qenë puna nga shtëpia dhe mësimi online, kompania “Apple”, ka rritur fitimet në biznesin me kompjuterët Mac dhe iPads.
Fatkeqësisht e kundërta po ndodhë me ekonominë në tërësi. Të dhënat e këtij viti, krahasuar me ato të vitit të kaluar tregojnë për një rënie të ekonomisë. “Zhvillimet aktuale të pandemisë japin shkas për shqetësim, që pasojat akute dhe ato afatgjata do të jenë më të rënda nga sa parashikohej muajt e kaluar”, thuhet kështu në një parashikim të krizës nga Sipërmarrja e Berlinit për Studime Ekonomike dhe të Konsulencës.