“Farmacistët transformojnë shëndetin global”, kjo është tema përmes së cilës, Federata Ndërkombëtare e Farmacisë, shënon këtë vit “Ditën Botërore të Farmacistëve”, e cila ka për qëllim promovimin e profesionit të farmacistit, promovimit të shërbimeve shëndetësore që pacientët i marrin në barnatore dhe të gjitha aktivitetet tjera të cilat përkojnë me fushë veprimtarinë e farmacisë.
Këtë ditë e shënon edhe Kosova përmes një konference të organizuar nga Oda e Farmacistëve të Kosovës (OFK), ndërsa për më shumë hollësi në lidhje me ditën e sotme, në një intervistë ekskluzive për Radio KFOR-in na ofroi kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, z. Arianit Jakupi: “Tema që këtë vit e ka përzgjedhur Federata Ndërkombëtare e Farmacisë, anëtarë me të drejta të plota të së cilës jemi edhe ne, lidhet posaçërisht me kohën e pandemisë në të cilën farmacistët si një nga hallkat e rëndësishme të sistemit shëndetësor i kanë kontribuar situatës për menaxhim më të mirë të pandemisë, dhënie të produkteve medicinale, ofrim të shërbimeve konsultative por edhe shërbimeve shëndetësore si vaksinimi, testimet për COVID, e shërbime tjera të nevojshme për shkak edhe të shpërndarjes më të mirë në komunitet, por e njëjta gjë nuk po ndodh edhe në Kosovë, për shkak se këtu edhe ato reforma që kishin nisur për sektorin e farmacisë po anulohen apo pezullohen”, theksoi me tjerash z. Jakupi.
Fusha e praktikës së farmacisë përfshin role tradicionale, të tilla si përzierja dhe shpërndarja e ilaçeve dhe shërbime më moderne në lidhje me kujdesin shëndetësor, duke përfshirë shërbimet klinike, rishikimin e ilaçeve për sigurinë dhe efikasitetin dhe sigurimin e informacionit për ilaçet. Prandaj, farmacistët janë ekspertë të terapisë së barnave dhe profesionistët kryesorë të shëndetit që optimizojnë përdorimin e ilaçeve për të mirën e pacientëve.