Sot, për nder të ‘Ditës Ndërkombëtare të Romëve’, e cila shënohet çdo vit, më 8 prill, për të ngritur ndërgjegjën rreth çështjeve që i shqetësojnë rreth 15 milion romë në mbarë botën edhe në Kosovë kjo datë u shënua përmes aktivitetit “Hajde folim”, organizuar nga Organizata Jo Qeveritare, “Kosovo 2.0”.
Në këtë aktivitet, theks të veçantë iu vu diskriminimit që ky komuntitet përjeton në sfera të ndryshme të jetës, margjinalizimi dhe dëbimet shoqërore dhe ekonomike. Më shumë rreth përmbajtjes konkrete të këtij aktiviteti, na tregon Majlinda Hyseni, Koordinatore për Komunikim dhe Marëdhënie me Publikun pranë Kosovo 2.0:
“Diskutimi interaktiv me panelistët e pranishëm, preku shumë tema: A e ka humbur kuptimin ‘Dita Ndërkombëtare e Romëve në Kosovë?’, ‘Konsumimi dhe përvetësimi i kulturës rome në Kosovë’, si dhe ‘Si mund t’i mbajmë përgjegjëse institucionet përkatëse për mos adresimin e çështjeve që qytetarët romë i përjetojnë në mënyrë shoqërore, politike dhe ekonomike’ në Kosovë”, theksoi për Radio KFOR-in, Majlinda.
Prandaj, ‘Dita Botërore e Romëve’ nuk duhet të ketë vetëm një rëndësi simbolike, por është një mundësi e mirë për të paralajmëruar edhe njëherë situatën jashtëzakonisht të vështirë sociale dhe ekonomike të kësaj pakice kombëtare.