Federata e Karatesë e Kosovës mbajti manifestimin për shpalljen e laureatëve për vitin që e lamë pas, 2019. Përmes një ceremonie, u shpërblyen sportistë e trajnerë të sportit të karatesë nga Kosova. Për të mësuar më shumë për fituesit e këtij manifestimi, Radio KFOR-i kontaktoi, përfaqësuesin e klubit të karatesë Llapi, nga Podujeva, Gazmend Havolli, i cili njëherit është edhe drejtor sportiv dhe kryetrajner i këtij klubi që nga viti 1990: “Federata e Karatesë e Kosovës, këtë fillim javë mbajti manifestimin për shpalljen e laureatëve për vitin 2019, në Prishtinë. Epiteti i më të mirit i takoi, Benjamin Shabanit, ndërsa Klubi i Karatesë Drita nga Gjilani, u shpall më i suksesshëm për senior. Tek juniorët më i miri u shpall Melos Gashi, nga klubi Karatesë Kampioni nga Prishtina, kurse tek kadetët, Fatjon Bajrami, nga klubi Sharri, Ferizaj. Djellorita Lushaku nga KK Llapi, ishte e 8-ta ndër 10 juniorët më të mirë për vitin 2019.”
Z. Havolli, i cili si qëllim gjithmonë ka masivizimin dhe angazhimin e rinisë në sportin e karatesë, foli edhe për garat e radhës në karate: “Reprezentacioni i Kosovës ka arritur në Budapest për të qenë pjesë e Kampionatit Europain për kadetë, juniorë dhe U21, gara këto që do të mbahen nga sot (06.02.20) e deri më 9 shkurt 2020. Ekipi i Kosovës përbëhet nga 43 veta, garues, trajner dhe zyrtarë të federatës.”
Bëhet e ditur gjithashtu se ekspedita e kosovarëve në Budapest përbëhet nga kryetari i FKK-së Ismet Krasniqi, sekretari i përgjithshëm i FKK-së Nazmi Gashi, si dhe përzgjedhësit e Përfaqësues së Kosovës në Karate, Isak Curri dhe Ylber Syla. Kosovën do të përfaqësojnë 29 garues në kategoritë e ndryshme (femra dhe meshkuj) në disiplinën e katave dhe kumite.