Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të vazhdueshme, në autostradën “Ibrahim Rugova”, ka pasur rrëshqitje anësore të dheut, në njërin shirit rrugor, në drejtim të Shqipërisë në hyrje të Vërmicës. Makinat që ndodheshin aty kur ndodhi rrëshqitja kanë pësuar dëme të vogla materiale, por fatmirësisht nuk ka të lënduar në mesin e pasagjerëve.
Kompanitë e kontraktuara, kanë intervenuar në vendin e ngjarjes dhe për shkaqe të sigurisë, njëri shirit, bashkë me atë ndihmës janë mbyllur për qarkullim. Me këtë rast Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka bërë thirrje për kujdes: “Bëjmë thirrje tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, të shtojnë kujdesin gjatë qarkullimit në këtë aks rrugor, me qëllim të evitimit të dëmtimeve nga situata të ngjashme.”
Nga ana tjetër, Qendra e Menaxhimit Kufitar ka njoftua se edhe gjatë orëve të mëngjesit të sotëm magjistralja Pejë-Kullë është e pakalueshme për automjete të rënda. Kurse rrugët që janë të kalueshme me vështirësi, janë: Fush-Pajtimit –Glloboqicë, Gjilan – Muçibabë dhe Prishtinë-Mutivodë.