Kampionatet më të mëdha evropiane të futbollit do të ndalen përkohësisht këtë javë, për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare që do të zhvillohen në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës.
Kjo pauzë do t’u mundësojë përfaqësueseve kombëtare të vazhdojnë luftën për një vend në turneun më të rëndësishëm të futbollit botëror. Njëra nga përballjet më të përfolura, është ajo mes Kosovës dhe Zvicrës, që do të luhet të premten (05.09.25), në Zvicër dhe që po pritet me interesim të madh, për shkak të lidhjeve të shumta personale dhe historike mes lojtarëve të të dy ekipeve.
Kosova synon të tregojë forcën e saj kundër një kundërshtari të fuqishëm si Zvicra, e cila konsiderohet ndër kombëtaret më të qëndrueshme në Evropë. Përzgjedhësi i Kosovës dhe stafi i tij janë duke punuar intensivisht për të ndërtuar një strategji të fortë që mund të sjellë një rezultat pozitiv, duke mbajtur gjallë ëndrrën e kualifikimit në Kupën e Botës. Ndeshja do të zhvillohet ditën e premte, me fillim nga ora 20:45 dhe pritet të luhet në një atmosferë të zjarrtë përpara një numri të madh tifozësh.







