Në fund të muajit korrik dhe në javën e parë të muajit gusht 2020, u shënuan rekorde të të infektuarve me ‘CoViD-19’, në vendin tonë. Mikrobiologu Lul Raka, për Radio KFOR-in ka treguar se Kosova aktualisht mbanë vendin e parë në Evropë për nga numri i të infektuarve: “Gjendja e pandemisë është përkeqësuar sidomos muajin e fundit dhe Kosova është në grupin e vendeve me numrin më të lartë të rasteve dhe të vdekjeve, për 100 mijë banorë në Evropë. Kjo situatë është rrjedhojë e mos zbatimit të masave parandaluese nga popullata dhe mos inspektimit adekuat. Kjo ka sjellë mbingarkesën e kapaciteteve sepse rritja e numrit të rasteve shkon me rritjen e numrit të hospitalizimeve, kjo patjetër që ka me rritë numrin e personave në kujdes intensiv dhe rrjedhimisht edhe numrin e vdekjeve që po është i lartë çdo ditë në Kosovë, fatkeqësisht.”
Profesor Raka, përmes frekuencave të Radio KFOR-it ka bërë thirrje për respektim maksimal të masave, në mënyrë që të ndalim përhapjen e pandemisë: “Çfarë duhet të bëjmë për ta adresuar këtë sfidë? – zgjedhja është e thjeshtë; duhet në radhë të parë qytetarët t’i respektojnë masat e thjeshta të parandalimit të cilat jemi duke i përmendur tash e 5 muaj: distanca – të mbajmë distancë fizike, përdorni maskën dhe mbani higjienën e duarve. Një këshillë tjetër do të ishte mos u përshëndetni me duar as mos u përqafoni gjatë përshëndetjes dhe sidomos kudo që vëreni grumbullim të njerëzve shmangni ato, mos shkoni në ahengje familjare pasi këto janë rreziqet në të cilat ju me vetëdije e rrezikoni jetën tuaj dhe të më të dashurve tuaj. Nëse e mbroni veten tuaj së pari, do të mbroni familjarët tuaj, vendin e punës dhe Kosovën dhe vetëm kështu do të mund të ulim numrin e rasteve.”
Ditëve të fundit në vendin tonë vazhdimisht ka pasur numra tre shifrorë të të infektuarve me ‘CoViD-19’, andaj të kujdesemi për shëndetin tonë, për më të dashurit tanë si dhe për një botë më të shëndetshme për të gjithë.