Ashtu sikurse edhe viteve të shkuara, edhe këtë verë, Kosova ka mirëpritur ngjarje të shumta që kanë mbledhur e do të mbledhin shumë vizitorë. Një prej festivaleve më të mëdha, jo vetëm në Kosovë por edhe rajon, Sunny Hill është festivali që po bënë që sytë ë botës të jenë në Kosovë. Ylli shqiptar me famë botërore Dua Lipa, edhe sivjet vjen në Kosovë, bashkë me emra eminent të muzikës botërore e vendore, për të krijuar kujtime të paharruara për të gjithë pjesëmarrësit. Sunny Hill Festival fillon sot në Bërnicë dhe do të zgjas deri me datën 3 gusht.
Një ngjarje tjetër madhore që e vë Kosovën në sytë e botës, është edhe Festivali Ndërkombëtar i Dokumentarëve dhe Filmave të Shkurtër, DokuFest. I njohur si një nga ngjarjet kryesore të filmit dhe muzikës në Evropën Juglindore, DokuFest është një festival që filmat e shkurtër i nominon për EFA, si dhe filmat e shkurtër i kualifikon për BAFTA. Prizreni është qytet nikoqir i DokuFest-it, që sivjet do të mbahet në datat 1 deri më 9 gusht.
‘Festa e Vjeljes së Rrushit’ na fton të gjithëve me 5, 6 dhe 7 shtator, të këtij viti në qytetin e Rahovecit, për të festuar dhe për të shijuar netë të paharuushme. Hardh Fest, në edicionin e radhës rikthehet me sloganin “Për kokërr t’qefit” dhe premton një super edicion me shumë risi, e një nga risitë e këtij viti është se festivali është pa pagesë apo pa bileta.
Një tjetër ngjarje madhore që pritet të fillojë nesër, me 2 gusht, është festivali ‘Rame Lahaj International Opera Festival (RILOF)’. Ky festival ndërkombëtar i operas i njohur ndryshe edhe me inicialet RLIOF, do të kurorëzohet me Mbrëmjen Gala “Rame Lahaj & Friends” duke sjellë për ju artin në majat më të larta në zemër të Prishtinës. Emrat e skenave prestigjioze, si: sopranoja gjeorgjiane Nino Machaidze, bassi italian Dario Russo dhe tenori ynë i çmuar Rame Lahaj, do të ngjiten në skenë për të na dhuruar emocione të papërshkrueshme.







