Të gjithë dashamirët e muzikës klasike do të kenë kënaqësinë që nesër (14 dhjetor), nga ora 20:00, në Kishën Katolike “Shën Ndou” në Prishtinë, të shijojnë një festë të madhe përmes koncertit të fund vitit nga Kori i Filharmonisë së Kosovës, për shënim të 20-vjetorit të themelimit.
Nën udhëheqjen e Maestros Rafet Rudi, ky koncert njëkohësisht do të shënojë dy dekada të rrugëtimit të suksesshëm të Korit të Filharmonisë së Kosovës.
Programi përfshinë vepra nga kompozitorë të dalluar, si: Lauridsen, Sandstrom, Matsushita, Whitacre e Rudi, derisa do të shënohen edhe dy përvjetorë të kompozitorëve tanë, në 80-vjetorin e lindjes së Zeqirija Ballatës dhe 65-vjetorin e lindjes së Mendi Mengjiqit. Përtej melodive, kjo ngjarje simbolizon përfundimin e dy dekadave të përkushtimit, pasionit dhe profesionalizmit të Korit të Filharmonisë së Kosovës.
Theksojmë që hyrja për në këtë koncert të pasur artistik, do të jetë falas.