Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, e cila operon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në vazhdimësi publikon online fluksin nëpër pikat e kalimit kufitar në Kosovë.
Në të dhënat e fundit, të publikuar pak më parë, bëhet e ditur se pritjet më të gjata për të hyrë në Kosovë aktualisht janë në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, të cilat po zgjasin deri në 120 minuta, duke krijuar kështu një kolonë deri në 500 metra për të hyrë në Kosovë. Ndërsa, në këtë pikë kufitare, pritjet për të dalë nga Kosova nuk zgjasin më shumë se 5 minuta.
Në pikën kufitare në Merdare, në hyrje kolonat janë deri në 100 metra, ndërsa në dalje janë 30 metra. Aktualisht në Merdare pritjet për të hyrë në Kosovë janë nga 15 deri në 20 minuta, ndërsa për të dalë nga Kosova janë vetëm 3 deri në 5.
Sipas të dhënave të fundit të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, në pikat tjera kufitare të Kosovës, si: Glloboqicë, Qafë e Prushit, Qafë e Morinës, Kullë, Bërnjak, Vërmicë, Hani i Elezit, Jarinje, Mutivodë dhe Muçibabë pritjet për të hyrë në Kosovë zgjasin nga 3 deri në 5 minuta, derisa në dalje të Kosovës nuk ka fare pritje.
Kujtojmë se pak më ditë më parë është marrë vendimi për hapjen e kufijve tokësor të Kosovës.